Prishtinë, 14 qershor 2025, UN Women në bashkëpunim me Odën e Noterëve të Kosovës organizuan punëtorinë në regjionin e Prishtinës, duke përmbyllur me sukses një seri aktivitetesh të ngjashme të mbajtura më herët edhe në Prizren dhe Istog.
Qëllimi i këtyre punëtorive ishte fuqizimi i mbështetjes ligjore për të drejtat pronësore të grave dhe avancimi i qasjes së barabartë në tokë bujqësore dhe pronë. Në fokus të veçantë ishin këshillimi ligjor me ndjeshmëri gjinore, praktikat e bashkëpronësisë, si dhe ndërtimi i kapaciteteve të noterëve të sapolicencuar nga e gjithë Kosova.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja përmes sesioneve interaktive, duke sjellë shembuj praktikë dhe theksuar rëndësinë e rolit të noterisë në fuqizimin juridik të grave. Punëtorisë në Prishtinë iu bashkuan edhe përfaqësues të Odës Kombëtare të Noterëve të Shqipërisë, të cilët kontribuuan në një shkëmbim të vlefshëm ndërkufitar të praktikave ligjore dhe përvojave profesionale.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Promovimi i Fuqizimit të Grave në Zonat Rurale në Kosovë”, i cili zbatohet nga UN Women dhe Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO), në partneritet me Odën e Noterëve të Kosovës dhe me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).


